Andaluzia, Epoka e Artë e  Islamit


Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, i dërgoi ndjekësit e tij në të gjitha drejtimet. Ai i dërgoi ata jo që të pushtonin botën ushtarakisht, por thjesht për të përhapur mesazhin Islam, por në të njëjtën kohë, myslimanët po rrethoheshin gjithnjë e më shumë nga fuqitë botërore. Dhe librat e historisë na tregojnë se në anën lindore, perandoria perse, dinastia sasanide, i sulmuan myslimanët, dhe se populli mysliman iu përgjigj, dhe madje e mposhti dinastinë sasanide.

Nga veriu vinin romakët e fuqishëm bizantinë. Ata i sulmuan myslimanët nga kufijtë veriorë. Dhe në këtë rast, shteti i ri islam u përgjigj dhe ata arritën ta mposhtnin perandorinë bizantine.

Myslimanët thjesht po i përgjigjeshin sulmeve që u vinin nga të gjitha anët. Islami ishte një fe paqeje, por në të njëjtën kohë edhe një fe drejtësie. Për këtë arsye myslimanët u përgjigjën për të mbrojtur veten, gjithashtu edhe për të drejtën për ta përhapur mesazhin islam në të gjithë planetin. Tregohet se në vitin 642,  një ushtri e vogël besimtarësh u fut në Egjipt, nën udhëheqjen e Amir Ibën al As (Zoti qoftë i kënaqur me të). Ata arritën të rrëzonin udhëheqjen bizantine e cila ishte famëkeqe. Ata e rrëzuan këtë udhëheqje edhe me ndihmën e popullit vendas. Njerëzit në Egjipt, i mbronin myslimanët dhe u hapnin rrugën atyre, ngado që ata shkonin. Nga Egjipti, ata vazhduan në drejtim të perëndimit. Raportohet se ata mbërritën deri në Oqeanin Atlantik. Një nga sahabët e famshëm me emrin, Ukba Ibën Nafi (Allahu qoftë i kënaqur me të), raportohet se mbërriti në Atlantik dhe tha: “Po të isha i sigurt se ka tokë matanë teje, unë do ta përcillja edhe atje mesazhin islam.” Ukba vendosi një bazë që e quajtën Keirouan. Kjo bazë shërbeu si qendër për myslimanët në zonën e Tunizisë. Në këtë vend ata ishin në gjendje të prisnin ata që vinin nga Lindja, të përballeshin me njerëzit që vinin nga Perëndimi, të ndërtonin një port për detin Mesdhe; dhe gjithashtu të kishin një fushëpamje dhe një kalim më të mirë përmes detit të rërës që i priste në Jug.

Në vitin 705, Islami po përhapej përmes këtij rajoni, jo në bazë të këtyre përplasjeve ushtarake. Ajo që po ndodhte ishte një lidhje e natyrshme, ku njerëzit migronin mbas pushtimeve, gjithashtu tregtia dhe lëvizja e njerëzve të ditur dhe asket. Për shkak të kësaj, Islami ishte në gjendje të përhapej natyrshëm, dhe njerëzve të cilët nuk ishin myslimanë, iu dha mundësia të vendosnin lidhjet me gjuhën arabe dhe me mësimet e Krijuesit të Qiellit dhe të Tokës. Pra, në një farë mënyre, arabishtja u bë gjuha e kohës. Ajo u bë një gjuhë e zakonshme, që flitej nga njerëz të cilët nuk e kishin arabishten gjuhën e tyre të parë, por e përdornin atë si një gjuhë për tregti, për shkencë si dhe për komunikim.

Në vitin 711, raportohet se udhëheqësi i myslimanëve në Afrikën e Veriut, Musa bin Naser (Allahu qoftë i kënaqur me të), iu përgjigj thirrjes së besimit që i erdhi nga besimtarët në një Zot. Të krishterët unitarë, të cilët jetonin përtej ngushticës së Mesdheut, në atë që njihet si gadishulli Iberik. Pra, si një përgjigje ndaj hebrenjve dhe të krishterëve unitarë, Musa bin Naser, dërgoi gjeneralin e tij Tarik ibën Ziad (Zoti qoftë i kënaqur me të), i cili kapërceu ngushticën, ndaloi në një mal dhe e quajti Xhebel Tarik, ai që është Gjibraltari i sotëm.

Ai ndaloi në këtë mal dhe me një ushtri  prej rreth 17,000 myslimanësh dhe u përball me ushtrinë e Vizikotëve. Raportohet se Rodriku, mbreti i Vizigotëve, solli një ushtri prej 100’000 luftëtarësh për t’u përballur me myslimanët në këto rrafshina. Por nëpërmjet ndihmës së Krijuesit të Qiellit dhe të Tokës dhe nëpërmjet drejtësisë që myslimanët po mbronin, ata arritën që ta mundnin Rodrikun dhe të vazhdonin në atë që njihet si Spanja dhe Portugalia e sotme.

Në vitin 755, kjo zonë që u bë e njohur si al Andalus u vizitua nga Abdurrahman Asakër, i cili ishte një nga udhëheqësit e dinastisë së Umejadëve, i cili ishte arratisur nga përplasjet madhore të Lindjes. Ai ndaloi në al Andalus dhe u përzgjodh nga njerëzit si Emir el Muminin, pra udhëheqës i tyre. Ai themeloi një qytet të quajtur Kordoba. Pikërisht në këtë qytet themeloi edhe kryeqytetin e shtetit të Islam në Spanjë, Portugali dhe në të gjithë rajonin.

Kjo zonë njihej nga ana fetare, por ishte dhe një epiqendër e qytetërimit. Kordoba ka qenë një bazë kryesore për besimin e krishterë. Raportohet se myslimanët e blenë tokën e katedrales dhe aty ndërtuan një xhami shumë të bukur. Kjo shtëpi adhurimi konsiderohej si më e madhja në Evropën e asaj kohe. Gjithashtu u ndërtuan akuadukte, për të sjellë ujin. Qyteti u zhvillua në mënyrë domethënëse deri në atë pikë sa që në vitin 1000, Kordoba ishte qyteti më i madh në botë. Ujë kishte me bollëk, qyteti u bë i famshëm dhe i rëndësishëm. Historianët na tregojnë se në kulmin e vet, Kordoba kishte mesatarisht 200, 000 shtëpi. Kishte 600 xhami, 900 hamamë, 50 spitale. Dhe këtu gjejmë tregje të mëdha, gjejmë edhe shoqata tregtare si për shembull, për endësit, sepse vetëm endësit e teshave ishin rreth 15’000 në Kordoba në atë kohë. Ky qytet u bë gjithashtu i njohur për xhaminë në sheshin kryesor, arkitektura e së cilës kopjohet ende dhe sot, në shumë xhami dhe qendra në mbarë botën. Ajo që ishte interesante për qytetin, ishte se gjatë asaj kohe Evropa dhe shumë pjesë të botës kishin mbetur në errësirë dhe obskurantizëm. Kortoba ishte një qytet i ndriçuar. Për 10 milje mund të ecje në çdo drejtim nëpër rrugë të ndriçuara. Në të gjithë qytetin kishte ujë të rrjedhshëm. Dituria ishte aq e rëndësishme sa që Kalifi, Hakemi i II, i cili sundoi nga viti 961 deri në 976 dhe kishte një bibliotekë private me mbi 400’000 libra. Këtu do të lexojmë një letër nga Mbreti Xhorxh i II i Anglisë, i cili ia dërgon atë Hishamit të III që sundoi nga 1027 deri në 1031. Në këtë letër, ai kërkon leje për një princeshë angleze që të studiojë në Kordoba. Në letër shkruhet:

“Nga Xhorxhi i II, Mbreti i Anglisë, Galisë, Suedisë dhe Norvegjisë… Për Kalifin e myslimanëve të mbretërisë së Spanjës, hirësisë së tij, Hisham i III.

Këshilltarët tanë na kanë folur se shkenca, dija, teknologjia dhe industria janë shumë të avancuara në vendin tuaj. Për këtë arsye, ne dëshirojmë që të rinjtë tanë të përfitojnë nga këto arritje tuajat, meqenëse në vendin tonë mungojnë lehtësira të tilla dhe vendi është zhytur  në errësirë të plotë. Me këtë rast shpresojmë që edhe ne të ndjekim gjurmët tuaja për të ndriçuar njerëzit tanë me dije. Mbesa ime, princesha Dorbant, dhe një grup vajzash të aristokracisë angleze, kërkojnë nderin e stafit tuaj akademik. Do të ishte nder për ne që të na ndihmonit në arritjen e objektivit tonë.

Princesha sjell me vete plot dhurata për hirësinë tuaj. Pranimi nga ana juaj, do të jetë një nder i madh për ne.

Shërbëtori juaj i bindur,

Xhorxhi i II”

Ky është një shembull i nivelit dhe madhështisë, që myslimanët kishin arritur në këtë pjesë të botës.

Në një studim të bërë në vitin 2000, me rastin e mijëvjeçarit, ku shihet se si ishte bota në vitin 1000 pas Krishtit, zbulohet një fakt interesant, se bota kishte vetëm 280 milion njerëz në atë kohë. Por ajo që është mahnitëse, është një renditje që jepet për dhjetë qytetet më të famshme në botë, për këtë periudhë.

Në vend të parë, Kordoba, qyteti më i madh në tokë në vitin 1000.

Në vendin e dytë, Keifeng, në një pjesë të Kinës.

Në vend të tretë, Kostandinopoja, në Bizant.

Në vend të katërt, Enkor, Kamboxhia.

Në vend të pestë, Kioto, Japoni.

Por i gjashti ishte Kajro, në Egjipt.

Në vend të shtatë, Bagdadi.

Në vend të tetë, Neisapur, në Iranin e sotëm.

Në vendin e nëntë, Al Hasa, në Arabinë e ditëve të sotme.

Dhe në vendin e dhjetë, Isfahan, në Persinë e ditëve të sotme.

Pra, nga 10 qytete të rëndësishme, gjashtë prej tyre ishin kryeqytete islame. Kjo tregonte përmasat e mëdha të pushtetit dhe autoritetit islam në këtë kohë. Myslimanët po arrinin suksese të mëdha dhe kishin një ndikim të thellë tek njerëzit e të gjithë botës. Dhe njerëzit i dërgonin fëmijët e tyre, ata shkonin në universitetet e Islamit, jo vetëm në Andaluzi, por gjithashtu në Afrikën e Veriut, në Kajro, në Bagdad. Kudo që të ishte në botën islame, për të marrë edukim. Ata e mësonin me dëshirë gjuhën arabe, në të njëjtën mënyrë që njerëzit sot shkojnë në universitetet e Londrës, Parisit, Shteteve të Bashkuara, për të ngritur nivelin e tyre akademik.

Pra, myslimanët luajtën një rol të fuqishëm në këtë planet. Dhe këto qytete, hynë në histori si disa nga zonat më të rëndësishme të kërkimit dhe arritjes së suksesit. Në këtë kohë, Kordoba, ishte qyteti më i madh në botë. Në këtë qytet, gjendeshin dijetarë të mëdhenj, teknologjia, shkenca, kultura e lartë dhe filozofia. Ky qytet ishte udhëheqës për botën në shumë fusha të ndryshme. Dhe është për t’u habitur sot, për studentët e rinj të historisë, kur arrijnë të kuptojnë nivelin që kishin arritur edhe shkencëtarët myslimanë. Në shumë libra të historisë, ne mësojmë se bota në këtë periudhë u fut në periudhën e obskurantizmit, dritat u shuan, diku nga shekulli i pestë dhe nuk erdhën deri në shekullin e pesëmbëdhjetë me Rilindjen Evropiane. Realiteti ishte i tillë që, nga shekulli i shtatë, deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, myslimanët po jepnin kontribute të vyera për shkencën dhe për të gjithë aspektet e ndryshme të qytetërimit modern. Në një studim të bërë kohët e fundit, vërejmë disa nga shkencat që u filluan, apo e patën origjinën nga myslimanët dhe ata gjetën disa fakte mahnitëse, sepse ndër këto shkenca ishin, algjebra, e cila është një fjalë arabe Jabr (xhebër), anestezia, biologjia, botanika, kardiologjia, hartografia, kimia, dermatologjia, ekologjia, embriologjia, mjekësia e rasteve urgjente, etnografia, gjeografia, gjeologjia, gjinekologjia, hortikultura, fiziologjia e njeriut, mjekësia e sëmundjeve të brendshme, etika mjekësore, metalurgjia, minierologjia, shkenca moderne, mjekësia moderne, aritmetika moderne, obstetrika, okulistika, ortopedia, patologjia, parazitologjia, farmakologjia, mjekësia parandaluese, psikiatria, psikologjia, shëndeti publik, mjekësia pulmonare, sociologjia, toksikologjia, trigonometria, urologjia, mjekësia veterinare dhe zoologjia.

Është e mahnitshme kur kthehemi dhe i shikojmë tërë këto fakte, sepse ne shohim se si rrënjët e shkencëtarëve janë prerë. Ne gjithashtu gjejmë në një studim të bërë nga historianët se, myslimanët jo vetëm që i zhvilluan këto shkenca, por ata gjithashtu përparuan me të tjera si, akustika, agronomia, anatomia, astronomia, integralet në matematikë, elektrokimia, inxhinieria, gjenetika, gjeometria, gjeofizika, meteorologjia, fizika, taksonomia dhe zoologjia. Myslimanët dhanë kontribute shumë të rëndësishme dhe bota në atë kohë, mund të mos kishte përparuar, në rast se shkencëtarët myslimanë nuk do ta kishin marrë dijen e botës me frymën e thënies: “Dija është prona e humbur e besimtarit. Dhe kudo që e gjen ai është i etur për të.”

Kështu që në këtë frymë, myslimanët ishin në gjendje të zhvillonin konceptin e zeros. Kur shkruani sot në numra arabikë, një, dy, tre, katër, pesë ju në fakt jeni duke shkruar në gjuhën arabe. Kjo gjë është tronditëse për pjesën më të madhe të njerëzve, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë kapërcimin e madh nga numrat romakë në sistemin e matematikës moderne. Gjithashtu, metoda shkencore që ne përdorim sot dhe që universitetet e vendeve perëndimore e lakmojnë aq shumë, u zhvillua nga myslimanët. Metoda historike që ne e konsiderojmë kaq të fuqishme dhe sot, kur japim një pikëpamje objektive të historisë, u zhvillua nga myslimanët, pra, nga njerëz si Ibën Haldun me Mukadimen e tij, që dha kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e historisë dhe sociologjisë. Pra ne shohim sot fjalë si algjebra, apo  alkimia, që lidhet me kiminë dhe, shikon me kuptimin e vërtetë të fjalës, me qindra lëndë të mirëfillta dhe themele të hedhura për shkencën e ditëve moderne.

Ndër shumë prej arritjeve të mahnitshme të myslimanëve ishin pajisjet dhe substancat e rëndësishme që u futën në perëndim. Ekzistojnë aq shumë syresh, saqë ne nuk kemi kohë t’i përmendim të gjitha. Por për të veçuar disa: kartoni dhe letra janë futur për herë të parë nga myslimanët. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish që ata i zbuluan, por ata ishin të parët që i futën në perëndim. Gjithashtu, qelqin, pasqyrat, llambat e rrugës, kripën, xhamin me ngjyra, mëndafshin, piperin, bimët medicinale, shamitë e dorës, deodorantët, vajgurin, teshat e pambukut, lirin,  pullat e postës, lidhjen e librave, orët, sapunin, matësit astronomikë, busullat e lundrimit, rigat llogaritëse, paguret, instrumentet kirurgjikale, mullinjtë e erës, dhëmbët artificialë, çikrikët, globet, agrumet, shalqinjtë, tapetet, syzet dhe lista vazhdon. Ne gjejmë gjithashtu gjëra si porcelani, almanakët, enciklopeditë, shalat e kuajve, acidin sulfurik që përdoret në eksperimente. Ky prezantim kulturor, ky transferim informacioni dhe zhvillimi shkencor, përbën bazën për Rilindjen Evropiane, si dhe është baza e botës moderne në të cilën jetojmë sot.

Nëse e shohim historinë në një mënyrë objektive, kuptojmë se pishtari i qytetërimit, nuk filloi në një pjesë të veçantë të botës, por u kalua dorë më dorë nga të gjithë njerëzit e planetit; kjo në të njëjtën mënyrë që grekët e lashtë, e njohën faktin se ata e morën qytetërimin e tyre nga Egjipti i Lashtë, ata të mëparshmit e morën nga Fenikasit. Ashtu edhe ne sot duhet ta njohim faktin se komoditetit që i gëzojmë sot, dhe se aspektet e ndryshme të shkencës, na kanë ardhur jo nëpërmjet magjisë, por nëpërmjet një transferimi të informacionit, nga myslimanët që jetonin në Andaluzi, tani të njohur si Spanja dhe Portugalia, në pjesën tjetër të Evropës. Qytete si Toledo, Sevilja, Grënada, Kordoba, apo Valencia, dhe mund të vazhdojmë të listojmë, qytete të fuqishëm të mësimit dhe universiteteve. Këto qytete ishin rreze drite në errësirën e Evropës në atë kohë. Mbas shembjes së Perandorisë Romake, shkencëtarët dhe njerëzit e dijes torturoheshin nga njerëzit e fesë. Në këtë kuadër, Islami futi një marrëdhënie të re me shkencën. Kjo për shkak të shumëllojshmërisë së Krijimit. Për shkak të emrave të bukur të krijesave, ngjyrat dhe kompleksiteti i universit, është dëshmi për praninë e Krijuesit të Qiellit dhe të Tokës. Prandaj myslimanët me këtë botëkuptim Tohidik, me këtë unitet që sjell bashkë besimin në një Zot; që bashkohet në mendimin se qeniet njerëzore, janë pjesë e një familjeje të vetme, me respektin për dijen. Pavarësisht nëse vinte nga bota Arabe, Afrika, Azia, Evropa, ata ishin në gjendje të bëheshin bashkë, për t’i dhënë Evropës dhe pjesës tjetër të botës, shtytjen që i duhej për të dalë nga obskurantizmi, për të dalë nga problemet e tyre dhe për të hyrë në botën moderne. Në këtë mënyrë, ne kemi nevojë të rishikojmë botëkuptimin tonë për shkencën.

Neve na duhet të vlerësojmë se gjuha arabe dhe myslimanët e Spanjës dhe të Portugalisë që njihet si Al Andalus, myslimanët që jetonin në Bagdad, në Irak, në Kajro, në Egjipt, në Indi, në Afrikë, si dhe në të gjithë botën myslimane, ishin në të vërtetë, bartësit e pishtarit të qytetërimit. Në fakt, këta ishin njerëzit që ruajtën filozofitë e Aristotelit dhe Sokratit. Ata arritën të ruanin dijen e së shkuarës dhe e vendosën në mënyrë të atillë, që njerëzit mund ta përdornin në botën moderne.   Kështu që baza e epokës kompjuterike, numrat binarë, koncepti i zeros, u zhvilluan nga myslimanët. Edhe kontributet e myslimanëve në fushën e teknologjisë nuk mbarojnë me shekullin e shtatëmbëdhjetë. Madje deri në ditët e sotme, myslimanët janë duke dhënë kontribute të jashtëzakonshme për teknologjinë, inxhinierinë, shkencën dhe për të gjitha aspektet e mësimnxënies.

Ne në botën e sotme duhet ta mbajmë parasysh një gjë të tillë, madje duhet të jemi në gjendje t’i hapim fletët e historisë. Për të hyrë në ato pjesë të errëta dhe për të nxjerrë që andej dritën. Nëse ne arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, ndoshta do të jemi në gjendje ta vlerësonim më shumë njëri-tjetrin në këtë botë të trazuar, sot. Ndoshta do të jemi në gjendje të kuptojmë se asgjë nuk ka ardhur krejt rastësisht dhe pa lidhje me të shkuarën dhe se gjithçka ka ardhur nga Zoti, i Cili është Krijuesi i Qiellit dhe i Tokës. E tillë pra ishte historia e Islamit që kaloi mbi Afrikën e Veriut dhe kaloi në ngushticat, Xhebel Tarik, sot quhet Gjibraltar. Toka u bë pjellore për mbjelljen agrumeve. Disa gjuhëtarë e kanë studiuar madje dhe fjalën “portokall” dhe ata e lidhin atë me këtë tokë plot e përplot me agrume, të cilat u sollën për herë të parë nga myslimanët. Ato lulëzuan dhe u bënë një nga mallrat kryesorë të vendit. Më pas nga fjala portokall, erdhi dhe fjala Portugali. Me të vërtetë që është e mahnitshme kur hyjmë në rrënjët e fjalëve dhe termave, sepse zbulojmë historinë tonë të përbashkët dhe shohim se njerëzit në të gjithë këtë planet janë pjesë e së njëjtës familje. Këto janë pjesë të pashkruara të historisë. Kjo është pjesë e trashëgimisë që erdhi nga Profeti Muhamed (Paqja  qoftë mbi të). Ne shpresojmë të shqyrtojmë marrëdhëniet e Kordobës dhe sukseset e arritura nga myslimanët në të gjithë botën.

Çfarë ndodhi në Spanjë? Çfarë ndodhi në këto toka madhështore? Ku shkuan njerëzit nga Andaluzia? Çfarë ndodhi me myslimanët të cilët kishin arritur një nivel aq të lartë teknologjie? Ne shpresojmë që të jemi në gjendje të hapim sëndukë thesaresh të tjerë në mënyrë që të nxjerrim që aty perla diturie, nga të cilat të mund të përfitojnë brezat e rinj, historianët dhe, me shpresën që të përfitojnë dhe njerëzit të cilët e drejtojnë këtë planet. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ishte Profeti i fundit dhe ai erdhi për të bashkuar njerëzimin dhe si mëshirë për të gjithë njerëzimin. Unë ju lë me këto mendime në paqe. Paqja e Zotit qoftë mbi ju!