Shoqeria ne fokus Gabimet ne edukim – Dr. Estela Elezi

Ne kemi folur shpesh rreth prindërimit, sidomos prindërimit me përgjegjësi, por ajo se çka është më e rëndësishmja është të kuptojmë se ku zakonisht gabojmë. Në fakt ne kemi përmendur disa pika kyçe rreth prindërimit të suksesshëm, sidomos çështja rreth nevojës së fëmijës për përkatësi. Pra fëmija ka nevojë të ndihet i sigurt në ambientin ku jeton. Ai ka nevojë të ndihet i lidhur emocionalisht dhe i sigurt emocionalisht. Fëmija ka nevojë të ndihet i rëndësishëm, se ka aftësinë t’i bëjë gjërat vetë dhe t’i bëjë mirë ato. Në varësi të moshës që ka, ai ka nevojë të ndjejë pushtet mbi jetën e tij. Këto nevoja fëmija i ka të domosdoshme në qoftë se ne nuk ia plotësojmë fëmijës këto nevoja vetë, atëherë ai do t’i marrë në mënyra jo të pëlqyeshme për ne.

Së dyti kemi mësuar se sjellja udhëhiqet nga qëllimi, pra çdo fëmijë e ka një qëllim dhe e do atë me çdo kusht pra mund ta arrijë edhe me të qara, vetëm që të marrë vëmendje. Një fëmijë me sjellje të dobët tregon se ky është një fëmijë me mungesë të madhe të përkatësisë dhe ky eshte nje femijë që duhet kuptuar jo dënuar. Është shumë e rëndësishme bashkëveprimi pra prindi duhet të mësojë të mbajë egon larg dhe jo vetëm të gjykojë apo kritikojë, sepse kështu nuk do të kemi fëmijë model, por është shumë e rëndësishme të bashkëveprojnë. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe koha që duhet kushtuar fëmijës pra koha vetëm për vetëm me fëmijën duhet të jetë mesatarisht 10 min, kjo kohë e furnizon fëmijën emocionalisht. Disa nga gabimet që bëhen janë:

Krahasimi, shpesh e gjejmë vetën duke krahasuar fëmijën tonë me të tjerët dhe përdorim shprehjen shikoje vëllain, shikoje atë. Në fakt ajo se çka bëjmë është të nxisim konflikte dhe nuk e nxisim fëmijën të sillet mirë. Shpesh herë edhe etiketojmë me shprehje të tilla si: gjumash, dembel, ose vajzë e keqe dhe djalë i keq etj. Në fakt nuk ka fëmijë të këqij ka sjellje të këqija. Ai është thjesht një fëmijë që po përpiqet të mësojë, nuk ka qëllime të këqija. Në fakt këto etiketime mund të bëhen zëri i brendshëm i fëmijës, pra ai e shikon veten si të keq dhe për pasojë do bëjë edhe sjellje të këqija. Kjo sepse fëmija i merr fjalët e prindit si të mirëqena. Pra unë jam i keq, unë jam gjumash dhe ai nuk përpiqet më pas të bëjë ndryshim.

Një tjetër problem që paraqesin prindërit është mbrojtja e tepërt. “Mos se u lage”, “mos këtu” etj. Kjo i pengon fëmijët duke i bërë ata të mos ndihen të zotët e vetes për gjëra që shumë mirë ata mund t’i bëjnë vetë. Prindërit zakonisht presin perfeksionin. Ata nuk duartrokasin arritjen e fëmijës në paktin e realizimit të detyrës, por ata gjurmojnë për parregullsitë. Në fakt duke ia vënë në pah këto parregullsi, fëmija do të ketë frikë të punojë vetë apo të marrë iniciativa vetë. Një tjetër gabim që bëjmë është se gjithmonë përpiqemi t’i kujtojmë fëmijës se duhet të thotë faleminderit, mirupafshim, duke ia kujtuar shpesh fëmijës se thjesht po i themi atij se “ti nuk mund të kujtohesh vetë”. Në këto raste është mirë që prindi të jetë vetë shembulli, pra ai t’i vërë në zbatim dhe thjeshtë fëmija t’i ndjekë më pas. Në edukimin e fëmijëve futet edhe pjesa e shpërblimeve material, pra ne shpërblejmë materialisht me idenë se duhet të nxisim një sjellje të mirë. Pra nëse shkojmë te gjyshja dhe sillesh mirë do të blejmë akullore. Në fakt këto duken si nxitje të shëndetshme, prindi mund të thotë se kështu unë e motivoj fëmijën, por duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të arrijmë në perceptime të gabuara të realitetit. N.q.s një fëmijë do të shpërblehet për notat, për pastrimin e dhomës së tij…, ai më pas nuk do ta kuptojë se pse duhet të mësojë. Pra ai nuk u nxit të mësojë u nxit të fitojë. Në fakt këtu fëmija nuk bën gjë tjetër vetëm se mëson të serviloset për të fituar. Nëse prindi më pas do t’i thotë fëmijës “mëso se ke provim”, automatikisht përgjigjja e tij do të jetë “çfarë do të më japësh nëse marr 10”. Pra fëmija nuk e kupton se po mëson për të aftësuar veten e tij. Mund të ndodhë që mamaja të jetë sëmurë dhe mund t’i kërkohet fëmijës të lajë ai do të përgjigjet “sa do të më japësh nëse laj”. Me kalimin e kohës ndodh që shpërblimi humbet efektin, pra fëmijët nuk kënaqen më me pak ata kërkojnë rritje vlere, kështu fillojnë edhe negociatat. Në një kopsht u bë një studim ku fëmijët u ndanë në dy grupe. Njërit grup iu tha se mund të vizatonin kur të kishin dëshirë ndërsa grupit të dytë iu tha se do të shpërbleheshin për çdo vizatim, në fakt çudia është se grupi i cili shpërblehej cilësia e vizatimit ra shumë, pra fëmijët nisën ta bënin pa dëshirë kjo u kthye në punë ku fëmija bën diçka thjesht për të fituar. Pra shkurt, motivimi i jashtëm ul motivimin e brendshëm. Duke nxitur motivimin e jashtëm do të prodhojmë fëmijë që gjërat nuk i bëjnë me dëshirë pra fëmijë që nesër nuk do të kenë dëshirë të bëjnë punë vullnetare, të merren me organizata bamirësie etj. Këta individë do të ndikohen shumë nga paraja. Këta njerëz do të bëjnë gjithçka për para, do të paguajnë për famë dhe vëmendje, të gjithë këta individë kanë diçka të përbashkët, motivimin e brendshëm të ulët.

Ngritja e zërit. Shpesh mendojmë se ngritja e zërit është më efektivja, por edhe asaj mund t’i zbehet efekti, sa më shumë ngrihet zëri dhe sa më shpesh aq më shumë shkëputet lidhja prind-fëmijë. Këtu fëmija nuk do më të kënaqë prindin ai nis dhe agravohet. Por edhe nëse fëmija na bindet pas një gritje zëri pyetja që na lind më pas do të ishte a do të donit ju që fëmija t’ju bindej nga frika dhe jo më nga parimi? A nuk do të donim dikë që sfidat e jetës i merr me qetësi dhe jo me potere?

Në fakt këshilla më e mirë do të ishte edukoni me shembullin tuaj, kuptohet kjo është diçka shumë e lehtë për t’u thënë, por shumë e vështirë për t’u zbatuar. Në të gjithë këtë histori do të jepja këtë detyrë: Ushtroni zërin e qetë!

Zëri i qetë tregon shumë, zëri i qetë tregon se ne jemi të aftë të kontrollojmë emocionet, zëri i qetë tregon se ne nuk ndikohemi nga ambienti i jashtëm, pra që ne nuk ndikohemi nga njerëz të cilët mund të na bërtasin, kemi aftësinë të menaxhojmë zërin dhe emocionet. Të jeni të sigurt fëmijët do t’i binden më mirë një zëri të qetë, por të vendosur sesa një ulërime kronike. Pyetja që vjen është po si t’ia bëjmë? Në fakt sa herë që kemi dëshirë të bërtasim duhet gjithmonë t’i kujtojmë vetes se ne jemi adultët dhe duhet të veprojmë gjithmonë me mature, duhet të mendojmë se si do ta menaxhojmë situatën. Një rast i zakonshëm mund të jetë derdhja e qumështit nga ana e fëmijës, gjëja e parë që na vjen në mendje është ulërima, por jo marrim një pecetë për vete dhe një për fëmijën dhe e pastrojmë bashkë me të, pas kësaj e pyesim fëmijën çfarë mësuam nga e gjithë kjo? Në fakt në të tilla raste është mirë që të lëmë fëmijën ta analizojë vetë situatën pra çfarë bëri dhe çfarë duhet të bëjë. Në të gjithë këtë pjesë ajo që duhet të bëjmë është të ndërgjegjësohemi se duhet të jemi të qetë. Duhet të kemi kujdes edhe nga të bërtiturat nga dhoma në dhomë këto të bërtiturat kanë tendencë të zmadhohen, kur e kuptojmë se nuk po marrim produktin e dëshiruar. Ndodh shpesh që prindërit ju thonë fëmijëve “a do shkojmë te mjeku tani?”, kjo nuk është mënyra e duhur duhet të jetë në të tillë formë “tani do të shkojmë te mjeku”. Për të parandaluar ulërimën për gjërat që duhen bërë i themi me zë të prerë, por të qetë. Kjo do të shërbejë që fëmijët të reagojnë me zë të qetë ndaj nesh, apo kujtdo.