Shoqeria ne fokus Agjerim dhe shendeti – Dr. Estela Elezi

Gazetarja: Ju përshëndesim miq nga Radio 1, frekuencat 93.2 FM! Nisim dhe për sot emisionin shoqëria në fokus . Si çdo të premte, në studio është dhe mikesha jonë Estela me këshillat e saj shumë të vlefshme të për çdo nënë, çdo prind për sa i përket edukimit të fëmijëve që ne i trajtojmë çdo të hënë dhe të mërkurë, por ajo temë që do trajtojmë sot është për muajin e madhërishëm të ramazanit. Estela të uroj mirëseardhjen në program edhe për sot!

Estela: Kënaqësia është e imja, që vazhdoj të jem pjesë në programin tuaj.

Gazetarja: Faleminderit! Dihet që dobitë shpirtërore e natyrore sigurisht, por edhe shëndetësore të agjërimit janë shumë të rëndësishme për të gjithë myslimanët. Do të flasim për agjërimin, të mirat që sjell ai tek shëndeti, pra në fillim të muajit të ramazanit, myslimanët në gjithë botën do të fillojnë të agjërojnë nga agimi në perëndim. Por ne do të flasim sot për një tjetër aspekt të agjërimit. Do të flasim për të mirat e tij.

Estela: Atëherë, kur mbërrin vera dhe njerëzit e kanë mendjen tek pushimet, myslimanët fillojnë agjërimin e muajit të ramazanit dhe përveç shpërblimit që merr për agjërimit të muajit të Ramazanit, ai ka dhe efekte qetësuese dhe të mira shëndetësore. Ata që nuk janë myslimanë e vlerësojnë këtë muaj thjesht nga të mirat fizike që sjell në organizmin e njeriut. Është një ndryshim total i stilit të jetesës dhe rrjedhimisht ka një ndikim të fortë dhe të dukshëm në organizëm. Pak a shumë do t’i prekim të mirat që sjell në organizëm. Atëherë dimë që agjërimi është privimi i vetes nga ngrënia dhe pirja, qoftë dhe e formë tymosje si duhani, që nga shenjat e para të agimit, deri në mbrëmje, në perëndim të diellit.

Gazetarja: Ka një gëzim të madh kur e shijon më pas ushqimin.

Estela: Ushqimin dhe ujin, sidomos në këto ditë të nxehta të verës.

Gazetarja: Vetëm kur vjen muaji i agjërimit e vëmë veten në pozitat e atyre që nuk kanë për të ngrënë.

Estela: Kjo është nga të mirat psikologjike që sjell agjërimi. Gjithsesi, myslimanët e dinë që nuk mjafton vetëm të mos hamë dhe të pimë gjatë gjithë ditës por ne dimë dhe hadithin:

“Ai që e shoqëron agjërimin me fjalë dhe vepra të kota, ai nga agjërimi i tij përfiton vetëm se etje dhe uri.” Kështu le të kalojmë ne të mirat e drejtpërdrejta fizike të agjërimit, pra jo atë shpirtërore dhe shpërblimet në botën tjetër. Atëherë një e mire shumë e rëndësishme është çlirimi nga vartësia e përtypjes. Jeta sot është e tejmbushur me orare të zgjatura në punë, orare të zgjatura në shkollë që na privojnë nga vaktet kryesore dhe në pamundësi për të ngrënë mëngjesin si duhet, ose drekën në kohën e saj, shpesh i drejtohemi zgjedhjeve jo shumë të shëndetshme, por dhe atëherë kur vaktet i hamë shëndetshëm vështirë se jemi imun ndaj atij zakonit të përtypjes së diçkaje, një biskote, një kafe, një pije ma gaz, një akullore, një cigare prape një kafe tjetër, një cigare tjetër gjithmonë në dorën dhe në gojën tonë është diçka me të cilën ne po përtypemi. Agjërimi për një muaj të tërë na çliron nga ky ves i përtypjes i cili të çon në mbipeshë. Duke u çliruar nga ky ves, ne arrijmë të ekuilibrojmë dhe peshën tonë. Çlirohemi nga ajo ndjesia që duhet të kemi me se s’bën diçka në gojë, diçka duke përtypur. Më pas është kthimi të pesha normale, dhe përmirësim i profilit lipidik, pra përmirësimi i yndyrnave në gjak. Pas Ramazanit vihet re një humbje peshe domethënëse te personat që janë obezë dhe një rënie e lehtë në personat me peshë normale. Në gjendje normale trupi ynë përdor glukozën si burim energjie dhe glukoza ruhet në mëlçi në formën e glukagonit. Pas konsumit të depove të glukozës, pas 8 orësh agjërim, trupi mobilizon yndyrnat për prodhimin e energjisë. Nëse mosushqyerja apo dhe keq ushqyerja do të zgjaste me ditë trupi do të detyrohej të mobilizojë proteinat dhe në këtë rast do të dëmtohej shumë organizimi por “rikuperimi” ngrënia në iftar, bën që trupi të mos arrijë te proteinat, por të digjen vetëm yndyrnat.

Gazetarja: Dhe ngrënia në sasi të limituar besoj, jo shumë yndyrna.

Estëla: Po, do të flasim dhe për mënyrën si duhet të ushqehemi gjatë iftarit dhe syfyrit. Pra të vetmet që bëhen kurban nga agjërimi janë yndyrnat, ato që nuk duam. Pasi kemi ngrënë iftarin, glukoza vihet sërish në konsum me kryerjen e ritualit të faljes i cili karakterizohet si një ushtrim fizik i lehtë ose i moderuar. Pas konsumit të glukozës në pjesën e parë të ditës, vjen konsumi i yndyrnave të akumuluara dhe si rrjedhojë kemi rënie në peshë. Pas rënies në peshë vjen dhe rënia e kolesterolit në gjak. Madje dhe në personat që janë diabetik kemi një kontroll me të mirë të diabetit numër 2, por edhe të hipertensionit. Studime në popullsi të ndryshme myslimanësh japin ndryshime në profilin lipidik të personave pas një muaji agjërimi, në varësi të ditës dhe natës, pra sa orë kanë agjëruar, në varësi të mënyrës së ushqyerjes së tyre, gjithsesi ajo që është për t’u theksuar është se përmirësimet kanë domethënie klinike.

Kemi efektin detoksifikues, agjërimi ka efekt detoksifikues të fuqishëm. Shumica e toksinave të marra nga ushqimet jo të shëndetshme që ne jemi mësuar të konsumojmë çdo ditë, depozitohen në yndyrna, në shtresat yndyrore të trupit tonë dhe me shkrirjen e yndyrnave kemi në të njëjtën kohë dhe largimin e toksinave nga trupi jonë.

Do të flasim për shëndetin e zemrës. Agjërimi është një “mik i zemrës” do të themi. Ai i vjen ne një ndihmë të madhe zemrës me uljen e kolesterolit të keq, ldl-së, triglicerinës dhe me rritjen e kolesterolit të mirë. Është vënë re që agjërimi sjell dhe një rënia të presionit sistolik, pra një rënie të tensionit dhe kjo rënie vjen nga një sërë faktorësh si mosmarrja e lëngjeve dhe rënia e nivelit të hormoneve të stresit që është kortizoli. Është vënë re që gjatë muajit të ramazanit kemi një rënie të kortizilit pra si pasojë dhe një rënie të tensionit. Gjithsesi, për personat që janë hipertensivë stadi 2 dhe 3, agjërimi nuk mund të jetë zëvendësues i mjekimit. Agjërimi është dhe një kohë e mirë për të lënë veset. Nëse jeni një duhanpirës Ramazani është mundësia më e mirë e jetës për që të shkëputemi përgjithmonë nga një ves i tillë. E përmendën dhe më sipër se ky është muaji i vetëpërmbajtjes dhe i durimit, dhe njerëzit duhanpirës mund të bëhen pjesë a atij grupi të madh besimtarësh që janë larguar nga duhani.

Gazetarja: Ta shohin si sfidë me vetë kam përshtypjen!

Estela: Është një numër i madh besimtarësh që kanë shpëtuar nga duhani pikërisht këtë muaj.

Gazetarja: Shumë e drejtë, në fakt kam dëgjuar dhe kam parë vetë raste të tilla që agjërojnë për një muaj, e lënë cigaren që është shumë e vështirë, vetë ata që e pine e dinë këtë dhe pas një muaji fillojnë e pinë përsëri atë.

Estela: Prandaj ka dhe 6 ditët e muajit Sheualit, pas agjërimit të Ramazanit.

Gazetarja: “Agjërimi është ilaçi më i mirë, është mjeku i brendshëm” ishte një shprehje e cila më ngeli në mëndje.

Estela: Po e vërtetë, agjërimi është mjek i brendshëm. Dhe nuk mund të lihet pa u përmendur ndjesia e mirëqenies të përgjithshme dhe rritja e produktivitetit dhe vigjilencës që ndodh nga agjërimi. Nuk ka mysliman që të mos e ndjejë këtë ndjesi, ndjesinë e mirëqenies së përgjithshme, të optimizmit të ndërtuar gjithashtu dhe me lodhjen dhe etjen. Vihet re një rritje e nivelit të endorfinave, këto ndjesi të mirëqenies nuk janë thjesht ndjesi, por janë dhe të matshme klinikisht, pra vihet re një rritje e nivelit të endorfinave. Endorfina është një neuro-peptid i çliruar nga sistemi nervor qendror, që ul dhimbjen dhe rrit euforinë, pra endorfina është “hormoni i lumturisë”.

Gazetarja: Madje që bëhet dhe si mjekim ndërsa ne mund ta arrijmë fare mirë duke agjëruar.

Estela: Po kemi një rritje të saj në gjak dhe kjo na bë që të ndihemi më vigjilent, më në paqe me veten dhe gjithashtu me të tjerët. Dhe rritja e endorfinës është dhe një arsye për normalizimin e glukozës në gjak dhe disa thonë që kur je pa ngrënë s’ke fuqi për të luajtur, je me humor të prishur e ke fytyrën e ngrysur, por unë do përmendja studentët që zakonisht thonë do agjëroj, sepse mësoj më mirë për sezonin. Ata mjaftojnë për ta vërtetuar.

Gazetarja: Ka të tilla raste. Në fakt, e kam provuar vetë. Të punosh pothuajse e me e të darkës dhe kam qenë në mikrofon me shumë emisione dhe kam qenë më energjike se tani. Dhe kjo është justifikim më duket, “se mbaj dot se jam në punë”…

Estela: “Jo është vapë”, “jo kështu, jo ashtu…”

Gazetarja: Janë justifikime, sepse ta lehtëson Zoti.

Estela: Është mirë të përmendim disa rregulla të përgjithshme, sepse vërtet i përmendem që këto përfitime shëndetësore ka agjërimi, por që duhet thënë dhe si duhet të ushqehemi gjatë agjërimit.

Gazetarja: Pra ka disa rregulla në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë por edhe që të na lehtësohet sa më shumë agjërimi.

Estela: Ne e dimë traditën e profetit s.v.a.s që na ka mësuar që ta çelim agjërimin me hurma arabe dhe nëse nuk na gjenden ato të paktën më ujë. E jo pa qëllim janë përmendur hurmat pasi ato janë një burim shpërthyes energjie dhe jo vetëm me glukozë (për të na dhënë energji) por edhe me minerale. Dhe duke e shoqëruar më pas dhe me një gotë ujë, ato përbëjnë një tresol të vërtetë le të themi, kanë glukozen kanë mineralet marrim dhe ujin pastaj dhe në të njëjtën kohë ata bëjnë që të evitojmë tejngopjen. Pra ne duke marrë një sasi të madhe glukoze me një porcion të vogël ti ndihesh i ngopur tamam dhe më pas eviton atë tejngopjen që të hash, e të hash, e të hash duke e tepruar domethënë. Gjithashtu gjatë agjërimit, pra kur çelim iftarin nuk duhet të mungojnë drithërat, frutat, zarzavatet, mishi, peshku, bulmeti dhe sigurisht, shumë lëngje. Drithërat si tërshëra, orizi ose produktet me miell integral janë të domosdoshme pasi përmbajnë karbohidratë të përbëra dhe si pasojë kemi një çlirim gradual të energjisë dhe që është e nevojshme për aktivitetin e ditës duke qenë se jemi pa ngrënë. Frutat dhe zarzavatet janë të pasura me fibra por edhe me karbohidrate komplekse dhe japin të njëjtin çlirim të ngadaltë të energjisë, furnizojnë me lëngje dhe kripëra minerale, të humbura kryesisht me djersën. Gjithashtu ndihmojnë dhe në rregullimin e këtij bilanci elektro-kimik të trupit që na është çrregulluar nga humbja me djersën. Mishi është një burim i rëndësishëm për hekurin, seleniumin dhe zinkun ndërsa peshkun e kemi të pasur me omega 3. Janë ushqime që duhet ti konsumojmë përditë, por edhe të jemi të kujdesshëm gjatë agjërimit, që të hamë pak por gjëra që kanë vlerë. Lëngjet e frutave të freskëta të përgatitura në çast në shtëpi janë një zgjedhje e zgjuar që na furnizon me ujë minerale dhe vitamina në një gotë të vetme. Mund të përdorim dhe tresolin gjithashtu, njësoj siç e përdorim në rastet e diarresë ose në rastet kur bëjmë palestër. Mund ta përdorim tresolin nëse kemi punë ose kemi pasur aktivite të tilla që kemi djersitur shumë. Kur kemi iftarin, mbushim një gotë me ujë, hedhim tresolin dhe e konsumojmë.

Gazetarja: Një gjë shumë e mirë kjo.

Estela: Diçka shumë e zgjuar për t’u bërë. Gjithashtu do këshilloja në qoftë se agjëruesit ndihen shumë të lodhur mund të përdorin dhe kripërat e magnezit, pra magnezin si suplement ai ndihmon goxha në punën e muskujve dhe ndihmon gjithashtu në qoftë se djersimë shumë është mirë ta marrim si suplement për të rikthyer energjitë e humbura. Madje magnezi jep aq shumë energji sa një pije ma kafeinë, që ne përdorim për të ndenjur zgjuar natën për teravi ose dhe për të lexuar Kuran.

Gazetarja: Çfarë duhet të evitojmë gjatë këtij muaji, Estela? Sepse kemi ushqime që janë të mira, të këshilluara për t’u ushqyer, por ka dhe ato që bëjnë përjashtim.

Estela: Ato që janë për t’u evituar janë ato që duhet të evitojme gjithmonë edhe në jnetën e përditshme, por të paktën tani të mundohemi ti evitojmë pak më shumë në mënyrë që të hamë pak por shëndetshëm. Sigurisht sheqeri është njëri prej tyre (një nga këto ushqime që duhet evituar), mielli tip zero zero (është mielli i zakonshëm, mielli i bardhë) pra duhet të përdorim bukën integrale, makaronat ose orizin dhe të evitojmë miellin tip zero zero dhe yndyrat gjithashtu. Mos të shpresojë njeri se do të dobësohet në qoftë se s’po çelet agjërimi, fillon me pije të gazuar dhe më pas me gjëra të skuqura ose ëmbëlsira të tejngopura me sheqerna dhe yndyrna. Në vend të biskotave, të kekut ose të tortës mund të zgjedhim hurmat, mjaltë me fruta ose fiq të thatë që janë dhe burim energjie dhe ushqyes të mirë gjithashtu. Duhet të rimë larg kafeinës të marrë në formë çaji, në formë kafeine apo në formë pijesh energjike pasi ka një efekt diuretik, pra nxit urinimin dhe ndërkohë që po mendojmë se po bëhemi më energjik, ne po shpëlahemi nga lëngjet dhe nga mineralet dhe po dëmtojmë trupin duke marrë lëngje me kafeinë. Jo gjëra të skuqura siç thamë. Të përdorim pjekjen ose zierjen me avull dhe unë dua të përmend dhe rastin e djalit të ri rreth të 20-tave i cili e çeli iftarin me një shishe coca-cola dhe arriti aq keq saqë bëri preforacion të stomakut, pra iu ça stomaku dhe u trajtua si rast urgjent, u trajtua me ditë të tëra në renimacion dhe më pas u dërgua në Itali.

Gazetarja: Një neglizhencë…

Estela: Falë Zotit ai shpëtoi por ishte me rrezik për jetën. Pra thjesht çelja e iftarit me një shishe coca-cola pati këtë efekt shkatërrues gati-gati jetë-marrës.

Gazetarja: Po të sëmurit kronik dhe kujdesi që mund të kenë gjatë agjërimit ata, të paktën që përdorin ilaçe apo medikamente të ndryshme?

Estela: Atëherë, agjërimi është detyrë e myslimanëve të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht, ndërsa për të sëmurët, shtatzënat, gjidhënëset, pleqtë e shtyrë në moshë dhe udhëtarët ka lehtësi. Prej tyre largohet detyra për të agjëruar gjithsesi, dëshira e madhe për të agjëruar bën që disa të sëmurë që janë kronik, pra që prej tyre nuk ka shpresë se do të shërohen nga kjo sëmundje të dëshirojnë të agjërojnë megjithëse janë të sëmurë. Unë do të jap 2-3 këshilla për këtë kategori besimtarësh, por që gjithsesi këshillat e mia nuk duhet në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojmë këshillën e mjekut specialist për sëmundjen përkatëse. Për astmatikët zakonisht mund të agjërojnë pasi përdorimi i pompave inhalotore nuk e prish agjërimin e tyre sepse këto pompa, medikamentet që kanë këto pompa nuk arrijnë në stomak por thjesht në rrugët e frymëmarrjes.

Gazetarja: Pra mund të mbajnë agjërim?

Estela: Mund të agjërojnë. Astmatikët mund të agjërojnë. Zakonisht nëse ata i përmbahen mjekimit rregullisht, agjërimi kalon pa ndonjë vështirësi për personat e shëndetshëm. Pacientët me hipertension arterial, e kanë të detyrueshme konsultën me mjekun specialist, pra me kardiologun për mënyrën si mund t’i marrin kohët dhe dozat e mjekimeve gjatë këtij muaji. Ata duhet të kenë kujdes të mos tejngopjen dhe të mos konsumojnë ushqime shumë të kripura, ose shumë të yndyrshme. Gjithashtu duhet të tregojnë kujdes me kafeinën. Të sëmurët kardiakë që kanë dhimbje të kraharorit pra dhimbje të paqëndrueshme qoftë gjatë sforcove fizike qoftë dhe në qetësi, pacientë që kanë insuficensë kardio-respiratore dhe kanë nevojë që gjatë ditës të marrin shpesh diuretik nuk duhet të agjërojnë, nuk është mirë që të agjërojnë. Pacientët që kane çrregullime të ritmit është mirë që të mos agjërojnë. Pacientët që kanë pasur një atak karidak të paktën prej gjashtë javësh, nuk duhet të agjërojne ose që i janë ushtruar një ndërhyrje kirurgjikale prej të paktën gjashtë javesh nuk duhet të agjërojnë. Ashtu dhe pacientët me stinozë akute të valvulave ose inflamin të tyre, është mirë që të mos agjërojnë. Diabetikët duhet të bëjnë një konsultë me mjekun para se të vendosin të agjërojnë apo jo. Këshillohet të mos agjërojnë personat që vuajnë nga diabeti tip 1 ose ai tip 2 insulino-vartës (pra persona që kanë insulinë) të mos agjërojnë dhe sidomos ata që e kanë sheqerin të pastabilizuar. Pacientet diabetike që janë shtatzëna është mirë që të mos agjërojnë. Diabeikët me sëmundje të tjera shoqëruese si dhimbje të gjoksit, me sëmundje të veshkave dhe pacientët me tip 2 që nuk e kanë stabilizuar ose dhe i kanë mjekimet e marra me anë të gojës të shpërndara gjatë ditës dhe kështu nuk mund të rregullohen është mirë të mos agjërojnë. Është mirë që edhe nëse ka diabetik që agjërojnë, të bëhen kontrolle të rregullta të glicemisë. Duhet të evitohen të marrin ushqime me karbohidrate komplekse dhe të bëhen matjet e rregullta të glicemisë. Në qoftë se ata ndihen të lodhur, djersinin ndihen të axhituar, i erren sytë duhet bërë me se s’bën një matje dhe nëse del glicemia në gjak nën 60 miligram për decilitër, atëherë duhet patjetër të konsumojnë sheqer menjëherë e theksoj dhe një herë në qoftë se glicmia është nën 60 miligram për decilitër menjëherë duhet të konsumojnë diçka me sheqer. Pra duhet ta prishin agjërimin. Hiperglicemia vjen nga lënia ose nga marrja jo e rregullt e mjekimit duke menduar se nuk janë të nevojshme pasi po agjëroj, por në qoftë se glicemia arrin nivele mbi 300 miligram për decilitër sërish agjërimi duhet ndërprerë dhe duhen marrë mjekimet. Pak a shumë këto domethënë për të sëmurët klinik.

Do të doja të përmendja pak a shumë dhe shqetësimet e zakonshme që kanë besimtarët e shëndetshëm gjatë agjërimit. Një është dhimbja e kokës dhe është nga shqetësimet më të zakonshme. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, shkak mund të jetë dhe dehidratimi, mund të jetë uria, mund të jetë mungesa e gjumit, mund të jetë mungesa e ushqimit ndaj të cilit jemi vartës për shembull ata që janë të varur ndaj kafes nuk e kanë pirë dhe kjo i shkakton dhimbje koke.

Gazetarja: Shumë e drejtë! Dhe sidomos duhet ta kenë filluar ta eliminojnë të paktën një muaj më parë domethënë, nëse pimë pesë kafe në ditë të zvogëlojnë numrin pasi ka që pinë pasi ka që pinë katër. Më mirë një kafe në ditë pas iftarit.

Estela: Shiko, kafeina është mirë të evitohet sepse siç e përmendëm dhe më parë, na shpëlan nga mineralet dhe nga lëngjet, gjithsesi ka nga ata që janë aq të fiksuar pas kafes sa një kafe për syfyr mund ta konsumojnë. Është dhe vartësia nga sheqeri, ka persona që gjithmonë gjatë ditës konsumojnë gjëra të sheqerosura dhe këta mund të kenë dhimbje koka nga mosngrënia e sheqerit. Edhe duhanpirësit duke qenë se nuk po pinë për një kohë të zgjatur duhan, dhe ata mund të kenë një dhimbje koke.

Si ta evitojmë?

Duhet të kujdesemi për balancën hidroelektritike pra të marrim lëngje dhe minerale mjaftueshëm, me fruta, me zarzavate të zëvendësojmë lëngjet në mënyra të shëndetshme, pra jo me pije të gazuara ose me pije të sheqerosura. Mund të marrim dhe analgjezik, për shembull: paracetamol ose buprofen në syfyr për t’i parandaluar dhimbjet e kokës të paktën ditët e para të agjërimit. Një problem tjetër që mund të shfaqet është dhe dehidratimi sidomos kur agjërimi është në muajt e nxehtë të verës. Kjo mund të evitohet duke marrë lëngje sidomos në agim, konsumimin e frutave të freskëta, evitimin e diellit ose qëndrimi në vende të freskëta në hije dhe evitimi i ushtrimeve fizike të rënda. Sidomos në diell duhen përdorur veshje të lehta prej pambuku dhe freskimi i trupit herë pas here me ujë. Ideja se kush agjëron nuk duhet të punojë por qëndron shtrirë është një mit i gabuar, agjëruesi ka mundësi të praktikojë aktivitetet fizike në shtëpi në punë por vetëm sforcot fizike të tepruara dhe ato në ambiente të nxehta të paajrosura janë ato që duhen evituar.

Gazetarja: Shumë e drejtë. Mirë meqenëse jemi dhe në minutat e fundit Estela, mund të themi që agjërimi është ilaçi më i mirë, mjeku i brendshëm i gjithsecilit prej nesh por doja të theksoja që hipokrati, aristoteli, platoni, sokrati gjithashtu dhe shumë filozofë të tjerë, shkencëtarë mjekë të të gjithave kohërave për shekuj me radhë e kanë agjërimin si metodë të pastrimit, shërimit dhe rigjenerimit të trupit si fizikisht por edhe psikologjikisht dhe natyrisht agjërimi sjell shumë të mira, ju i përmendët të gjitha ato që duhet të evitojmë për të sëmurët kronikë dhe si dihet të kujdesemi për veten gjatë këtij muaji. I uroj të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë dhe të pranuar. Edhe ty gjithashtu Estela. Faleminderit që u bëre pjesë e këtij programi!